dimanche, 12 juillet 2020|

1 visiteurs en ce moment

 

Përdorimet politike të trupit/trupave

Problematika qëndrore e këtij universiteti veror është trupi si objekt politik. Përmes analizës së dispozitivave politikë të instrumentalizimit të trupave, ai synon ta vërë theksin te forca e tyre e qëndresës dhe format e ndryshme të përdorimit të tyre kundër-politik. Projekti pra, është më së shumti i përqëndruar në anën aktive sesa atë reaktive, në horizontin projektiv më shumë se atë përshkrues, dhe kjo zhvendosje projektive do të duhej të ishte boshti kryesor rreth të cilit do të organizohen kontributet e pjesëmarrësve. Pyetja spinoziste mbi « kapacitetet e trupit » do të shpjerë kështu drejt një rinovimi të problematikave etike. Shqyrtimi i këtyre çështjeve nuk do të bëhet në kornizën e një horizonti të ngushtë kulturor, por do të jetë radikalisht shumëkultural, i hapur ndaj konceptesh të diferencuara të trupit dhe teknikave rreth tij, ndaj qasjesh të shumëllojshme, në pajtim me larminë e theksuar të prejardhjeve dhe mjediseve kulturore, politike e konceptuale të pjesëmarrësve. Përmasa krahasimtare do të jetë pra themelore në këto punime. Çështja e mrehtë e politikave migratore do të jetë një objekt i përbashkët reflektimi, sikundër dhe proceset diskriminuese që ato bartin me vete : një vend të veçantë duhet të zënë implikimet bashkëkohore të shenjimit të trupave, para së gjithash ato biometrike, në përmasat e tyre sa juridike dhe ndëshkimore. Shkëmbimet e informacionit dhe të dhënave biometrike mes kompanive private dhe qeverive, apo ideja e një karte biometrike individuale për përfitimin e shërbimeve shoqërore do të jenë objekt i analizës, qoftë si teknika pushteti, qoftë si terren për ndërhyrje dhe mendim kritik. Trupi është jo vetëm objekt i abuzimeve politike masive, siç është universaliteti i torturës, por edhe shënjestër e të ashtuquajturit « menaxhim i burimeve njerëzore », që ndërhyn deri në shtresat më të fshehta : që nga projektet e « evaluimit » dhe « ndjekjes » së fëmijëve në moshë të ulët, ato të detektimit të riskut dhe delinkuencës së hershme, deri te dykuptimësia e « vetvrasjes në vendin e punës » si përdorim politik i shkallës së fundit. Edhe pse Michel Foucault mbetet një nga frymëzimet kryesore të këtyre analizave, ato do të jenë të hapura ndaj qasjesh mjekësore, politike, filozofike e kontinentale heterogjene, deri dhe të kundërta. Më në përgjithësi, universiteti do synojë të përshkojë mësymjen e madhe tekno-politike të trupave (nga dietetika dhe mjekësia « përmirësuese » deri te miksazhet mes elektronikës dhe neuronikës), që vë në pikëpyetje tërë konceptimet tradicionale të « trupit » (si trup i gjallë, njerëzor, etj.), si dhe format e reja të normativitetit që imponohen aty. Në këtë konfigurim hyn trajtimi i çështjes gjinore, bashkë me proceset e diferencimit dhe dominimit dhe biologjizimit që veprojnë në të. Por po ashtu raportet subjektivuese me normat dhe regjimet e ndryshme pushtetore që përcjallin ato : si në rastet e racializimit të trupave, për shembull, nga njëra anë, dhe modaliteteve politike të refuzimit të tij, nga ana tjetër. Në këtë perspektivë, përdorimet estetike të trupit do të mund të lidhen me përdorimet politike të artit, ku do të shyrtohen fuqitë e trupave si forca qëndrese dhe pushteti mbi trupin si instrument manipulimi. Në këtë pikë ku statusi biologjik lidhet me procese gjuhësore subjektivimi dhe akulturimi, ka vend si për legjitimimin e formave të ndryshme të pushtetit, ashtu dhe për denoncimin e abuzimeve të tyre. Disa nga këto forma janë rivendikimet lidhur me kënaqësitë dhe përdorimin e tyre, siç emblematizohen në veçanti nga politikat homoseksuale, apo, në të kundërt, kur ato bëhen instrumente normative dhe manipulimi ekonomik, si në rastin e hiper-mediatizimit të sportit apo në rrjetet e prostitucionit. Së fundi, një vend i mjaftueshëm duhet t’i lihet trajtimit të trupit në raport me mejdisin, me pushtetet ekonomike që ushtrohen aty si dhe rivendikimeve politike që lindin rreth tij.

 
A propos de "Les usages politiques du corps". Université d’été du 25 au 30 aout 2014 en Albanie.
New ethnic identifications are not created out of nowhere nor are they natural appearances of historic roots but usually follow a certain strategy which fulfills certain needs. One of the needs can be the avoidance of racist stereotypes. This is the case with Egyptians and Ashkali who try to (...)
En savoir plus »
Fils de nouvelles RSS
Thèmes